Ndahet nga jeta ne moshen 72 vjecare profesori dhe studiuesi i njohur

Profesori dhe studiuesi i njohur Ylli Çabiri, është ndarë nga jeta këtë të hënë në moshën 72 vjeçare. Ai do të nderohet përherë si një ekspert i rrallë, i cili do t’i mungojë vendit dhe shoqërisë shqiptare, në lidhje me politikat e pushtetit vendor dhe decentralizimit.

Ylli Çabiri ka lënë pas mbi 34 punime, studime të thelluara e analitike në fushën e administrimit publik, politikave të qeverisjes dhe disiplinimit të energjive sociale, me angazhime të drejtpërdrejta si ekspert ndërkombëtar në mbi 21 organizata dhe institucione ndërkombëtare me interesa zhvillimi në Shqipëri në rajon e më gjerë.

Gjithashtu, ai shquhej për njohjet e thelluar të problematikave të administrimit publik dhe politikave të qeverisjes në mbi 8 vende të rajonit të Ballkanit; si dhe publikim të studimeve në mbi 6 vende të Europës dhe përtej Atlantikut.

I doktoruar në fushën e Transformimeve Strukturore të Çeliqeve me pak Nikel dhe Krom, në Universitetin Paris XI, PhD, 1981, Ylli Çabiri rreshtohet në radhën e specialistëve që morën përsipër modernizimin e sistemit të teknologjisë së industrisë shqiptare të përpunimit të mineraleve.

Në vitet e para të demokracisë, u emërua Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë në dy Qeveri: Qeverinë e Stabilitetit, të drejtuar nga Ylli Bufi, dhe Qeverinë Teknike të drejtuar nga Vilson Ahmeti.

Ylli Çabiri punoi dhe si Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, Ekspert Ndërkombëtar i monitorimit dhe vlerësimit të financimeve të Bashkimit Europian në shtetet e ndryshme të Ballkanit, Këshilltar politikash i Ambasadorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë dhe Këshilltar i Kryeministrit.

Një numër i madh studimesh mbajnë autorësinë dhe kontributin e tij në fushën e qeverisjes së mirë, koordinimit të ndihmës së huaj, decentralizimit të pushtetit, ndarjes territoriale, ecurisë së reformave, varfërisë dhe pabarazisë, punësimit, arsimit, etj. Ylli Çabiri ka bashkëpunuar me të gjithë donatorët dhe institucionet ndërkombëtare të pranishëm në Shqipëri dhe ka kontribuar në konsulenca të rëndësishme në vendet e Ballkanit.

Ai është themeluesi i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC) dhe Ekspert drejtues i Raporteve të Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë dhe Kosovën. Ylli Çabiri është autror i librit “Shqipëria mund të bëhet”.

Intelektuali dhe profesori shqiptar ka qenë anëtar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan. Është vlerësuar me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” – Elbasan, ku shërbeu për disa vite si anëtar i Bordit drejtues. Dr. Ylli Çabiri është Qytetar Nderi i Tiranës, Korçës dhe Beratit.

Ylli Çabiri u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1950 dhe u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, dega “Mekanikë”. Studimet e Thelluara Pasuniversitare i kreu në Francë, në Universitetin Paris XI, për “Metalurgji fizike”. Fitoi vlerësimin “Shkëlqyer” nga Universiteti francez për Studimin e tij të Doktoraturës mbi Çeliqet shqiptare.