Mimika Luca dhe Viktori Zhusti sapo ”u dhanë” një mësim të mirë të gjithë atyre që mendojnë se ka moshë për çdo gjë

Në vitin 1984, shqetësimi kryesor i Lajdes, interpretuar nga e madhja Mimika Luca, ishte t’i gjente një grua të denjë të birit, Alberit, portretizuar mjeshtërisht nga Viktor Zhusti. Ndërsa sot, 38 vite nga vënia në skenë e “Shi në plazh”, duket se “shqetësimi” i vetëm i artistëve është të shijuarit e çdo momenti.

Në një video të postuar së fundmi në rrjete sociale, dy figurat e njohura të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, kanë treguar se vitet janë thjesht numra që nuk mund t’i mbajnë kurrsesi larg të dëfryerit.

Para disa ditësh, aktorja e njohur Mimika Luca ka festuar 85-vjetorin e lindjes, e rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e dashur, por ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte kërcimi me Viktor Zhustin, një ndër miqtë e saj më të mirë. Jo vetëm që “dogjën” pistën e kërcimit, por u dhanë një mësim të mirë të gjithë atyre që mendojnë se mosha mund të jetë pengesë.