Nga dita e neserme: Vaksinë e detyrueshme, zgjerim ore policore dhe mbyllje e kufijve pa kushte

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që duke nisur nga data 1 shtator të zgjerojë orën policore duke ndaluar qarkullimin pas orës 23.00 deri në 06.00.

Nga data 6 shtator, cilido që futet në Shqipëri duhet të ketë një prej këtyre dokumenteve, vërtetim të kryerjes së dy dozave të vaksinës, tampon PCR, rapid test, vërteti kalim kovidi.

Vaksinim të detyrueshëm për stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët.

Në të kundërt do të bëjnë tampon rregullisht.

Përjashtim bëjnë ata që kanë indikacion mjekësor se nuk mund ose nuk duhet të vaksinohen.

Sakaq, në aeroport nuk do të lejohet më hyrja e personave që nuk janë pasagjerë.

Në spitale nuk do të lejohet më hyrja e personave që shoqërojnë pacientët.

E PLOTË/ Masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve:

– Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00. – Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: 1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë. 2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve. 3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

– Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.

– Vlerësohet që Shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

– Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë edhe nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik.

– Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator.

– Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Pandemia e të pavaksinuarve, Manastirliu: Shtatori muaj i hapur, shumë shpejt vaksinimi me detyrim për disa kategori

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e zhvilluar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, apeloi për vaksinim, duke i konsideruar shqetësuese shifrat në rritje të infektimeve nga varianti Delta.

“Nuk ka tani më asnjë dyshim se vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta. Në Spitalin “Covid 1” janë pothuaj 100 të shtruar, 17 prej tyre në terapi intensive. Janë shumë më pak se sa në rajon, edhe falë shpejtësisë me të cilën Shqipëria nisi vaksinimin masiv, por janë shumë sidoqoftë po të kemi parasysh se jemi ende në gusht.Mjekët më kanë raportuar gjatë gjithë kësaj periudhe se, numri i të pavaksinuarve, është sa 95% e totalit të shtrimeve. Pra është fare e qartë se kush nuk është vaksinuar ende po rrezikon seriozisht, ndërsa përqindja fare e ulët e të vaksinuarve që preken është sidoqoftë shumë më e mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes”, u shpreh Manastirliu.

Duke bërë apel për vaksinimin anticovid, Manastirliu tha:

“Vaksina shmang format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet. Vaksina bën dallimin a madh, mes jetës dhe vdekjes. Zgjedhja për të bërë apo jo vaksinën nuk është thjesht personale. Nuk është rasti klasik “ç’punë ke ti ç’bëj unë me trupin tim”. Jo! Refuzimi i armës mbrojtëse, që sot çdo qytetar e ka në dispozicion, falas, në çdo qendër shëndetësore në çdo cep të Shqipërisë, vë në rrezik jo vetëm jetën e kujt refuzon.

Ai vë në rrezik jetën e familjarëve. Vë në rrezik jetën e miqve. Vë në rrezik jetën e shoqeve dhe shokëve në klasë apo auditor, të kolegëve e kolegeve në vendin e punës”.

Ministrja Manastirliu tha se nisur nga kjo situatë, do të zbatohet plani i detyrimit të vaksinimit për disa kategori.

“Shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Do të nisim shumë shpejt zbatimin e planit për kalimin në një tjetër fazë të fushatës së vaksinimit, ku detyrimi i disa kategorive për t’u vaksinuar do të bëhet në emër të së drejtës së të tjerëve për të mos u infektuar. Të gjitha vendet po lëvizin në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë pa humbur kohë në ditët në vijim”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka përsëritur apelin për vaksinim ndaj COVID19, duke e konisderuar si armë mbrojtëse për çdo qytetar për të shmangur format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet.