Pas 10 ditesh zjarre ne vend, me ne fund ndodh ‘mrekullia’,

Sot në qiellin e Vlorës pas më shumë se 10 ditësh flakë dhe tym është dukur më në fund një helikopter me mision për të fikur zjarret. Sipas asaj që shkruan kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, më ndërhyrjen e tij u përpoq orët e para të mëngjesit të vërë në kontroll flakët në një vatrave më aktive, atë në Dukat.

Tani po mundohet të shuajë flakën në Karaburun, e cila është e vështirë të shuhet sepse territori i djegies është shumë i madh dhe duhet një punë e gjatë për helikopterin në të gjithë ditën. Zjarri vijon të jetë ende aktiv siç shihet edhe nga pamjet. Një vijë gjatësore prej 15 km vijon të digjet në Karaburun. Në Tragjasë flaka arriti deri në korsinë e automjeteve.

Helikopteri pasi furnizohet me ujë në plazhin e Orikumit herë shkon në Dukat e herë në Karaburun.

Vendin e kanë pushtuar zjarret, sidomos pamjet nga Qarku i Vlorës kanë qenë vërtet apokaliptike. Qytetarë të frikësuar dhe punonjës që me vetëmohim dhe mjete rrethanore, degë pemësh dhe lopata, luftojnë me flakët.

Kjo ka qenë panorama e këtyre 10 ditëve ndërkohë që autoritetet kanë ‘fikur’ telefonat edhe për gazetarët.