Pedagogu nga Berati me shtëpi me qira në Tiranë: Marr 60 mijë lekë në muaj, s’blej dot shtëpi

Ka lënë Beratin për të dhënë mësim në Tiranë. Erison Karamani është një pedagog i ri që pasi përfundoi studimet me rezultate maksimale në master shkencor në Inxhinieri nafte dhe gazi, zgjodhi që kontributin e tij ta japë në Shqipëri, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij që ikin jashtë.

25-vjeçari prej një viti punon në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Erisoni paguhet vetëm 600 mijë lekë të vjetra për punën në auditor.

“Aktualisht unë marrë 600 mijë lekë. Unë jam i ardhur në Tiranë, pra nuk kam shtëpinë time, jetoj me qira. Gjysma e rrogës më shkon tek qiraja, duhet të heq jetesën time, veshjet. Kostoja e jetesës në Tiranë dihet sa është. Edhe para krizës ishte e vështirë, imagjino tani me këtë rritje që kanë pësuar çmimet”, thotë pedagogu.

Ai thotë se të ardhurat që merr nuk i ofrojnë një të ardhme.

“Përveç pasionit dhe dashurisë që kam për vendin tim nuk është se më mban gjë tjetër në këtë vend. Puna që bëj është për shkak të asaj çfarë unë dua të bëj, por nuk është se më ofron një të ardhme të sigurt në vendin tim. Më duhet të jetoj në një realitet ku vërtet mund të mos kem një banesë ku të strehoj familjen time dhe më duhet të jetoj gjithë jetën time me qira ose nuk e di nëse do mundem ta ndërtoj familjen time”, thotë ai.

Me rrogën që paguhet nuk mund të arrijë të kontribuojë në kërkimin shkencor.

“Një artikull në një revistë ndërkombëtare me faktor impakti të lartë fillon nga 500 euro. 500 euro është rroga ime. Unë nuk mund të ha një karton reviste ose t’i jap qiramarrësit tim një karton reviste në fund. Ne e kemi të detyruar dhe raportojmë çdo vit mbi detyrën, mbi atë çfarë ne po bëjmë dhe çfarë po kontribuojmë në kërkimin shkencor”, shprehet Erison Karamani.

Ka aplikuar për doktoraturë, por kostoja e saj është e papërballueshme.

“Që unë të marrë titullin Doktor ka një kosto të paktën diku tek 10 mijë euro. Tani, me atë pagën që iu thashë pak më përpara, mendoni që unë mund ta bëj me forcat e mija doktoraturën dhe t’i shërbej studentit me artikujt e mi shkencor”, pyet pedagogu i ri.

Në këto kushte, dilema e tij është nëse duhet të vazhdojë të kontribuojë në Shqipëri apo të shohë rrugët e Europës
.