PS ka mbledhur mëngjesin e sotëm Kryesinë e saj, ku pritet që të diskutohet lidhur me procesin e zgjedhjeve, dhe me atë që do të ndodhë me krizën politike në vend.
Fill pas 30 Qershorit, Rama u shpreh se në PS do të niste një debat i brendshëm, por edhe me kundërshtarët politik, për të diskutuar lidhur me ecurinë e reformave, që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha palëve, veçanërisht ajo zgjedhore.
Ndërkohë që një tjetër zhvillim që nuk mund të kalojë pa u komentuar është edhe deklarata e bërë dje nga presidenti Meta dhe oferta që ai pati për t’i dhënë fund krizës politike.
Meta propozoi që për të zgjidhur krizën, në 13 Tetor përveç zgjedhjeve për pushtetin lokal, të ketë dhe zgjedhje për Kuvendin dhe për presidentin, një kërkesë kjo që gjeti heshtjen e kryeministrit Rama.
Pavarësisht se Rama është një nga politikanët që reagon dhe për ngjarje të vogla, duket se këtë deklaratë të Metës ai zgjodhi që ta injoronte, duke lënë që të komentonin vetëm Taulant Ballad he Elisa Spiropali, të cilët u shprehën se Meta tashmë nuk mund të quhet më presidenti i vendit.
Sakaq mazhoranca të hënën do të ngrejë me nxitim dhe komisionin hetimor, që do të verifikojë shkeljet e presidentit Meta në caktimin e një dekreti të ri për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vendin tonë.