Të përgatisësh pancake për mëngjes është gjithnjë një ide e mirë, sidomos gjatë ditëve të fundjavës! Receta e këtyre petullave është jo vetëm e thjeshtë, por dhe shumë e shijshme
Për brumin:
1 gotë miell
1 e verdhë veze
1 e bardhë veze
1 filxhan kafeje vaj ulliri
1 gotë qumësht
1/2 lugë kafeje kripë
1 lugë gjelle sheqer
Për kremin:
1 gotë qumësht
1 filxhan kafeje sheqer
5 lugë niseshte
Për dekorimin:
10 luleshtrydhe të mëdha
2 lugë sheqer pluhur
Përgatitja:
Brumi:
Në një enë hedhim të verdhën e vezës, qumështin, vajin, kripën, sheqerin dhe miellin dhe i përziejmë bashkë. Në një enë tjetër rrahim të bardhën e vezës derisa të bëhet shkumë që, kur të kthejmë pjatën, ajo të mos bjerë. Më pas vezën e bardhë të rrahur ia shtojmë enës ku kemi përgatitur masën e parë. I përziejmë të dyja dhe në këtë moment, brumin e kemi gati.
Në një tenxhere hedhim niseshtenë, qumështin dhe sheqerin dhe i trazojmë derisa të jetë bërë një masë e njëjtë. Më pas, vendosim tenxheren në zjarr dhe vazhdojmë e trazojmë deri sa ajo të trashet dhe të bëhet si krem. E heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Në një tigan hedhim një lugë çaji vaj ulliri dhe me letër kuzhine “e fshijmë” të gjithë tiganin. E vëmë në zjarr të ulët dhe kur ai të jetë nxehur, me një garuzhde të vogël, hedhim brumin në tigan. Sasia duhet të jetë aq sa të krijohet një “petull” me diametër 10-15 cm dhe kur piqet nga njëra anë, e kthejmë në anën tjetër. Veprojmë në të njëjtën mënyrë deri në përfundim të brumit.
Kremi:
Përziejmë në një tenxhere, qumështin, niseshtenë dhe sheqerin, deri sa masa të trashet. E lëmë të ftohet pak. Sipas dëshirës, mund të përdorim edhe puding pluhur.
Dekorimi:
Mbi çdo pancakes vendosim një shtresë me kremin e përgatitur dhe mbi të 4 ose 5 gjysma luleshtrydheje. I vendosim pancakes njëri mbi tjetrin dhe në majë vendosim një pancakes pa krem. Në fund, e spërkasim të gjithën me sheqer pluhur dhe në majë të saj vendosim një luleshtrydhe.
Shijet e jetes do ti gjeni ketu