Sinoptikani tregon kur rikthehen reshjet e shiut. Si pritet të jetë moti këtë fundjavë

Ndryshe nga java që po lëmë pas, fundjava do të vijë me vranësira dhe reshje shiu.

Në një lidhje direkte për Klan News sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” ka bërë të ditur se temperaturat gjatë fundjavës pritet në zbresin në vlera maksimale në 17 gradë Celsius, ndërsa në ato minimalet në 3 gradë Celsius në zonat malore.

Hakil Osmani: Dita e sotme ka nisur me kthjellime pothuajse në të gjithë territorin shqiptar, por pritet që orët e pasdites dhe mbrëmjes kryesisht të sjellin shpeshtim të vranësirave, të cilat do të jenë prezente edhe gjatë fundjavës duke bërë që gjatë ditës së shtunë dhe ditës së dielë këto vranësira herë pas here të pësojnë zhvillime duke sjellë dhe reshje të pakëta shiu në të gjithë territorin shqiptar.

Parashikohet që më të dukshme këto reshje të jenë gjatë orëve të mbrëmjes së ditës së shtunë dhe paraditen e ditës së dielë, kryesisht më të fokusuara do të jenë në zonat jugore, por edhe pjesa tjetër e territorit do të marrë reshje të pakta shiu.

Përsa i përket temperaturave të ajrit, parashikohet që mesdita e sotme mos të shkojë më shumë se 20 gradë Celsius, por fundjava do të sjellë sërish rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet të zbresin dhe rreth vlerave 17 apo 18 gradë Celsius. Edhe vlerat minimale do të kenë rënie të ndjeshme të tyre duke bërë që ato të zbresin në qytetet e zonave malore rreth vlerës 3 apo 4 gradë Celsius.