Sipas ministres Kushi shkollat mund të mbyllen sërish vetëm për shkak të kësaj arsyeje

Pas tre ditësh pushim, për shkak të temperaturave të ulëta, nesër nxënësit rikthehen në bankat e shkollës. Lidhur me këtë, foli Ministrja e Arsimit Evis Kushi pas mbledhjes së qeverisë. Ajo tha se temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria dhe se vendime të tilla kanë marrë dhe Greqia e Turqia për shkak të motit.

“Lajmi i mirë është që nesër të gjithë nxënësit dhe mësuesit do të kthehen në shkolla, pasi sipas parashikimeve të motit do të ketë përmirësim të temperaturave. Temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria. Kjo nuk është një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri. Ju jeni informuar që edhe Greqia i mbylli shkollat ditën e hënë për shkak të temperaturave, edhe Turqia ka bërë të njëjtën gjë”, tha Kushi.

Po ashtu ajo tha se i ftohti nuk ishte arsyeja e vetme pse u mbyllën shkollat. Ministrja Kushi uroi që të mos ketë sërish surpriza nga moti në të ardhmen. “Shpresojmë që kushtet atmosferike të mos ofrojnë surpriza të tjera që ne të detyrohemi të mbyllim shkollat. Por ishte e nevojshme për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”, -përfundoi ajo.