Zbardhet testamenti i Nexhmijes: Gruaja e Enverit mohon Zotin me pas të birin e saj, djali refuzon t’i shkojë dhe në varim

Del letra e fundit e Nexhmije Hoxhes apo testamenti i saj por ne te nuk eshte permend djali i saj Sokoli dhe nusja e saj Liljana.

Ja cfare shkruan ajo:

Letra e plotë:

Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,

Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo! Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton! Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.

Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.

Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.

Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të shkatërruar, pa drita e ujë.

Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të Tepelenës. Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd, si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si bir i denjë i Enverit.

Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën.

Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës. Krahas punimeve për t’i bërë disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime, kur isha në burg.

Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë arrestimit e burgimit të Ilirit. Si për çdo grua shqiptare burgosja e burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.

Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit: “Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.

Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.

Të dashur Ilir e Teuta,

Desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i mbyllur.

Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.

Po e mbyll këtë letër edhe një herë me urimin: Rrofshi e qofshi të gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën!

Ju përqafoj me dashuri mëma juaj, Nexhmije