2 vite pas ndarjes nga jeta, Bora tregon cili ishte pengu më i madh i Xhevdet Ferit

Kanë kaluar dy vite nga ndarja e parakoshme nga jeta e ikonës së kinematografisë shqiptare, Xhevdet Feri. Xhoda, siç e njihnin miqtë dhe familjarët, la pas një karrierë të pasur artistike, por roli i tij më i madh dhe më i bukur ishte të qenit baba.

Në një rrëfim për ”Tiranapost” foli për herë të parë vajza e tij Bora, e cila foli gjerë e gjatë për të. Ndër të tjera ajo tregoi se pengu më i madh i Xhodës ishte tërheqja nga politika.

“Gjëja që kishte më shumë pishman ishte tërheqja nga politika. Ajo ishte, në qoftë se mund ta quaj pishman. Ngaqë ai ishte burrë me kuptimin e plotë të fjalës, kishte një përgjegjësi shumë të theksuar. I dilte gjithmonë për zot vendimeve që kishte marrë. Po këtë e di që e kishte pishman”, tha ajo.

“Xhoda kishte edhe këtë aftësi që i polarizonte shumë njerëzit. Ata që e donin, e donin shumë, pa kushte. Ndërsa ata që e kishin zili e luftonin maksimalisht. Xhoda ka pasur disa linçime publike. E kanë hequr nga puna me ceremoni shumë të madhe, në periudhën e reformës për teatrin. Prandaj thashë që kur hyj në sallën e teatrit kam një stepje, sepse unë kam parë shumë. Nuk kam parë vetëm shfaqje teatrore në sallat edhe në skenat e teatrit. Janë bërë debate publike. E kishte gjithë komunitetin e aktorëve kundër. I thoshin Xetës: “Pse e ke sjellë Borën këtu se këtë do ta nxjerrin me pranga. Se ky është i kapur nga mafia e ndërtimit që do të na prishë neve teatrin”, përfundoi ajo.