Burri humb jeten 4 vite pasi u kafshua nga macja

0
116

Një burrë në Danimarkë ka ndërruar jetë katër vite pasi u kafshua nga macja e tij. Shkak për fundin e tij tragjik u bënë bakteret mishngrënëse të kafshës së tij shtëpiake që i infektuan edhe gjakun.

Henrik Kriegbaum Plettner vendosi të adoptojë një mace dhe kotelet e saj nga një strehë në vitin 2018. Por teksa po përpiqej të lëvizte një nga kotelet në gusht 2018, ai u kafshua në gishtin tregues.

Siç do të mendonin shumica e njerëzve me një kafshim mace, Henrik nuk e mori seriozisht derisa gishti nisi që t’i ënjtej.

Pas një sërë konsultimesh, ai përfundoi në spitalin Kolding të Danimarkës, ku u mbajt për një muaj dhe iu nënshtrua 15 operacioneve.

Por asnjëri prej tyre nuk rezultoi i suksesshëm dhe Henrikut iu amputua gishti i kafshuar pasi nuk mund të funksiononte më siç duhet.

Megjithatë, shëndeti i tij filloi të përkeqësohej sepse macja kishte kafshuar një enë gjaku.

Ndërsa plaga e Henrikut u mbyll pothuajse menjëherë pasi ai ishte kafshuar, bakteret vdekjeprurëse hynë në qarkullimin e gjakut përmes venës dhe më pas filluan të përhapen në të gjithë trupin.

Henrik vdiq në tetor të këtij viti, katër vjet pas kafshimit nga macja, dhe familja tani e ka treguar historinë pasi duan që të ndërgjegjësojnë njerëzit që t’i marrin seriozisht kafshimet e maceve.