Del e verteta e aksidentit qe humben jeten nena me djalin dhe nipat. Ja cfare kishte pir shoferi

0
4056

Ishte i dehur dhe nën efektin e drogës. Testet toksikologjike kanë zbuluar këtë të vërtetë për Orjol Lamen, 32-vjeçarin i cili i jepte makinës mbrëmjen e 30 Tetorit, por gjithçka do të përfundonte në tragjedi. Në mjet ndodhej gruaja e tij, 22-vjeçarja Shane Hyseni, djali i tyre, Mattias Lame, 2 vjeç dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Resat dhe Rejana Hyseni, 11 e 8 vjeç. Të katërt do të ndërronin jetë menjëherë si pasojë e përplasjes me një shtëpi. I vetmi që shpëtoi ishte 32-vjeçari Lame, i cili që prej të dielës ndodhet në reaminacion në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mostrat tashmë do të dërgohen në institutin toksikologjik në Modena për të verifikuar gjithçka. Nëse edhe aty do të konfirmohen rezultatet ato do të dërgohen në gjyq si prova kundër 32-vjeçarit, pozitat e të cilit tashmë përkeqësohen akoma më shumë.

Siç u konfirmua të martën, Prokuroria në Reggio Emilia ka nisur hetimet për vrasje në rrugë. Hetuesit kanë konstatuar se makina ka qenë e pa kontrolluar dhe pa sigurim. Po ashtu, ajo ishte e regjistruar në emër të një personi i cili ka ndërruar jetë gjatë këtij viti. Tashmë hetuesve u ka lindur një detyrë e re që të zbulojnë se si e ka marrë 32-vjeçari mjetin. Një ndër hipotezat që kanë hetuesit është ajo e blerjes së mjetit në të zezë. Hetimet janë fokusuar edhe tek e shkuara e Orjol Lames, i cili ka precedentë penalë dy vite më parë.

Sipas hetimeve të policisë, automjeti ka lëvizur me shpejtësi shumë të madhe. Matësi në kilometrazh tregonte 220 kilometra në orë, pra maksimumin, por ata nuk janë të bindur për shkak se mjeti është shkatërruar. Megjithatë siç shkruajë mediat, ajo shpejtësi maksimale nuk mund të arrihej nga një ‘Fiat Stillo’ i vjetër. Sipas hetuesve, është e vështirë që të përcaktohet me siguri shpejtësia, por sipas tyre është e sigurt që ka qenë me mbi 100 kilometra në orë. Kjo sipas tyre kuptohet edhe nga dëmi që ka shkaktuar në murin e shtëpisë, fatmirësisht e pabanuar.

Mbrëmjen e 30 Tetorit, Shane dhe Orjoli, bashkë me djalin, Mattiasin, dhe motrën e vëllain e 22-vjeçares kishin shkuar për të ngrënë sushi në një restorant. Pas mbaruan, duhej të ktheheshin në Casaltone, një fshat i Parmës, aty ku jetonin Resati dhe Rejana bashkë me prindërit, Ardianin dhe Anjezën. Më pas çifti duhej të kthehej sërish në shtëpi. Por fundi ishte tragjik.

Sot trupat e pajetë do të nisen në Shqipëri. Prindërit e tyre kanë vendosur që t’i varrosin në Durrës, ku ceremonia do të bëhet sipas besimit islam te cilet i perkisnin viktimat.