Dhjetë ushtarakë rusë dorëzohen në Ukrainë: Putin, jepi fund luftës

Dhjetë ushtarë rusë të kapur pas një dorëzimi vullnetar tek ushtria ukrainase, u bënë thirrje sot bashkëqytetarëve të tyre që të bëjnë gjithçka është e mundur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duke kërkuar që Putini të tërhiqet.

“Rusë, bëni gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund kësaj lufte. As Ukraina dhe as Rusia nuk kanë nevojë për këtë luftë. Vetëm Putini ka nevojë,” tha i burgosuri i luftës Andriy Chuvatarevsky në një konferencë shtypi në Interfax-Ukraine të shtunën.

Ai gjithashtu u bëri thirrje bashkëqytetarëve që të shkojnë në mitingje dhe të bllokojnë rrugët me rëndësi federale për të parandaluar kalimin e pajisjeve ruse.

“Përpiquni të informoni presidentin, largoni ushtrinë, zhdukni armatimet e tyre në mënyrë që ata të mos shkojnë dhe të bombardojnë civilët. Nëse dilni në rrugë, presidenti do të vendosë të tërheqë trupat. Atëherë nuk do të ketë luftë,” shtoi ai.

I pyetur nga agjencia Interfax nëse ai i kuptonte motivet e udhëheqjes ruse për të pushtuar Ukrainën, Chuvatarevsky tha jo.

“Nuk e di për çfarë qëllimi. Me shumë mundësi, atij i duhen vetëm territore të tjera. Ne nuk kemi nevojë për këtë”, tha ai, duke theksuar se askush nuk dëshiron të luftojë në ushtrinë ruse.

“Askush nuk dëshiron të luftojë në ushtri. Nuk kisha dëshirë të shkoja. Ndjejmë urrejtje për lidershipin që na dërgoi këtu. E kuptojmë që na hodhën këtu si kotele për të mirën e qeverisë”, tha ai.

Ai gjithashtu u bëri thirrje gazetarëve të huaj në sallë që të shpërndajnë informacionin në mënyrë që presidentët e tyre të mund të ndikojnë tek Putini për t’i dhënë fund luftës. “Ne shpresojmë shumë për këtë,” shtoi Chuvatarevsky.