Gerald Gega, 17 vjeçari shqiptar ka marrë titullin e kampionit botëror në kick boks për të rinjtë.

Ai është lindur dhe rritur në vendin fqinj, Greqi. Pavarësisht origjinës shqiptare, Gega ka thënë së fundmi se “ndihet grek”, pasi Greqia është vendi që e ka rritur, vendi ku i janë ofruar mundësitë për t’u bërë kampion në kick boks.

“Greqia më lindi. Unë jam grek. Kam pasur gjithmonë trajnerë grekë. Shkova në një shkollë greke. Greqia është familja dhe shtëpia ime. Nga këtu vij unë. Ndihem i lumtur dhe i emocionuar që kam arritur një nivel kaq të lartë në sportet luftarake”, tha Geraldi për mediet greke, pas fitores triumfuese në garën ndërkombëtare për të rinjtë në kick boks.

Më tej ai ka treguar se sportet luftarake i ka filluar që në moshë të vogël.

Duke përshkruar momentin e fitores në Kampionatin Botëror, atleti 17 vjeçar u shpreh:

“Në fillim nuk e besova. Ishte një sukses i ardhur nga qielli, në kuptimin që në fillim nuk e prisja që të kisha arritur diçka kaq të rëndësishme. Ndihem shpërblyer. Mbaj mend që fola me babain tim, i cili më shikonte në internet. Babai bërtiste nga gëzimi. Edhe fqinjët e dëgjuan kur dola i pari. Familja ime dhe trajneri janë mbështetja ime”.