Kushëriri i Koço Kokëdhimës restorant PA LEJE mbi plazhin e Porto Palermos! Kryebashkiaku i Himarës e shembi në 2012…por kush e mbron sot?!

TIRANE – Restoranti “Panorma”, në pronësi të kushëririt të Koço Kokëdhimës, që u bë deputet në vitin 2013 (tashmë kryetar i Partisë ZGJIDHJA) ndërtuar buzë detit në Porto Palermo, rezulton të jetë pa leje. Por pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012 si objekt pa leje nga autoritetet, biznesi vijon të ushtrojë aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike, teksa aktualisht ndodhet në proces legalizimi.

Mihal Kokëdhima, 51 vjeç, kushëriri i parë i ish-deputetit Koço Kokëdhima, (djalë xhaxhai) është arrestuar nga policia dy ditë më parë, për një ngjarje të paprecedentë me disa turistë spanjollë të cilët i sulmoi vetëm pasi ata nuk pritën porosinë që nuk u erdhi kurrë dhe u larguan të irrituar nga shërbimi në restoranti që ata kishin zgjedhur të drekonin në Porto Palermo të Himarës. Pronari i lokalit, Mihal Kokëdhima, i sulmoi ata, dhe i ndoqi duke ju hedhur mbi furgon, dhe në një rrugë 3 km qëndroi mbi kofanon e automjetit duke goditur me grushte xhamin e përparmë të cilin e theu duke u gjakosur edhe vet.

Report Tv transmetoi videon ekskluzive dhe momentet e tmerrit që kanë kaluar turistët spanjollë, të cilët gjithashtu morën disa dëmtime të lehta nga goditjet e pronarit, Kokëdhima. Por 51-vjeçari rezulton të ketë pikërisht këtë restorant luksoz në një nga zonat më të preferuara turistike në jug të Shqipërisë, Porto Palermo me emrin “Panorma”.

Shqiptarja.com ka zbuluar se restoranti në fjalë është pa leje, dhe se është në proces legalizimi. Por pyetja që ngrihet është se si është ndërtuar në shkëmb në një zonë të mrekullueshme siç është Kështjella e Porto Palermos, kur në fakt ndërtimet buzë detit nuk lejohen.

Po ashtu, në vitin 2012, kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, ka nisur shembjen e restorantit, për shkak se ishte dhe vijon të jetë ende pa leje. Në një komunikim që Shqiptarja.com pati me kryebashkiakun Goro, i cili u zgjodh sërish në krye të Bashkisë së Himarës më 30 qershor, ai e konfirmoi aksionin e bashkisë për shembjen e restorantit, duke thënë se është pa leje. Por teksa bashkia ndërhyri duke e shembur restorantin në vitin 2012, asgjë më tej nuk ndodhi, pasi me ndërhyrjet e tij, Mihal Kokëdhima e futi objektin në proces legalizimi. Por në gjithë këto vite pa leje, restoranti “Panorma” i ndërtuar shumë para vitit 2012 në buzë të detit të Porto Palermos në Himarë, vijon qetësisht aktivitetin e tij, pavarësisht se nuk ka një leje dhe pavarësisht incidentit të ndodhur me turistët. Është e çuditshme se si mund të futet në proces legalizimi një objekt i gjithi me beton i ndërtuar buzë detit në pronë publike.