Lajm i madh/ Shpiket ilaci që shëron Covidin: Përgjysmon shtrimet në spital si dhe humbjet te njerëzit e infektuar

Kompania farmaceutike Merck & Co tha të premten se ilaçi i saj eksperimental kundër COVID-19 përgjysmon shtrimet në spital si dhe humbje te njerëzit e infektuar kohët e fundit me koronavirus dhe se së shpejti do të kërkojë nga zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën që të autorizojnë përdorimin e tij.

Nëse miratohet, ilaçi i firmës Merck do të ishte pilula e parë që do të përdorej për të trajtuar COVID-19, një hap potencialisht i madh në përpjekjet për të luftuar pandeminë. Të gjitha terapitë për COVID-19 të autorizuara tani në Shtetet e Bashkuara kërkojnë një injeksion intravenoz.

Kompania Merck dhe partneri i saj Ridgeback Biotherapeutics thanë se rezultatet fillestare treguan se pacientët që e morën ilaçin, e quajtur “molnupiravir”, brenda pesë ditëve të para të shfaqjes së simptomave të COVID-19 kishin 50 për qind më pak shanse për t’u shtruar në spital, krahasuar me pacientët që morën një pilulë falso.

Studimi ndoqi 775 të rritur me simptoma të lehta deri në të moderuara të COVID-19 të cilët konsideroheshin me rrezik më të lartë për sëmundje të rënda për shkak të problemeve shëndetësore të tilla si obeziteti, diabeti ose sëmundjet e zemrës.

Në mesin e pacientëve që morën ilaçin molnupiravir, 7.3% ose u shtruan në spital, ose vdiqën në fund të 30 ditëve, krahasuar me 14.1% të atyre që morën pilulën falso. Sipas kompanisë Merck, nuk pati vdekje në grupin e atyre që morën ilaçin pas kësaj periudhe kohore krahasuar me tetë vdekje në grupin e atyre që morën pilulën falso. Rezultatet u publikuan nga kompania dhe nuk janë rishikuar nga ekspertë të tjerë. Merck tha se ka në plan t’i prezantojë ato në një takim të ardhshëm mjekësor.

Një grup i pavarur ekspertësh mjekësorë, që vëzhgonte provat, u shpreh se ato nuk kishin nevojë të vazhdonin më tej, pasi edhe deri në atë fazë të përkohshme, përfundimet ishin mjaft bindëse. Drejtuesit e kompanisë thanë se janë në diskutime me Administratën e Ushqimit dhe Barnave dhe planifikojnë të paraqesin të dhënat për shqyrtim në ditët në vijim.