Ministrja e Arsimit jep lajmin e madh duke filluar nga dita e hene

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, lajmëroi se nga dita e hënë e javës së ardhshme, në të gjitha shkollat e vendit, do të zhvillohet mësim normal, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore. Ky vendim i ministres është një fitore për prindërit, të cilin kishin kërkuar me ngulm rikthimin e mësimit normal.

Prindërit kishin parlajmëruar më herët edhe protesta në rast mos reflektimi nga Ministria e Arsimit, pasi e shihnin të paarsyeshme dhe të pakuptimtë vendimin për mësim me orare të shkurtuara dhe me turne.

Ata thanë se e kanë të pamundur të ndjekin fëmijët në orare të ndryshme për t’i çuar dhe marrë nga shkolla.

Ministrja Kushi në mesazhin e saj theksoi se gjithësesi duhen zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve.

“Nisur nga shqetësimet tuaja të drejta, por sidomos nga përgjegjësia jonë për të garantuar cilësinë në sistemin arsimor, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me MSHMS, Komitetin e Ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik për të rivlerësuar edhe njëherë së bashku të gjitha protokollet anti-COVID që zbatohen aktualisht në shkolla, e në mënyrë të veçantë me ruajtjen e distancës mes nxënësve, çka na ka detyruar që të aplikojmë mësimin me turne në disa shkolla të qyteteve më të mëdha të vendit”, tha Ministrja Kushi .

“U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88% të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”.

“Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës – në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne. Faleminderit të gjithëve dhe suksese!”

Top Channel