Ndahet nga jeta portieri i njohur shqiptar. Rekordi që arriti në futbollin botëror

Elbasan- Ndahet nga jeta legjenda e portës së Elbasanit dhe një nga portierët më të mirë në Shqipëri, Bujar Gogunja.

Gjithashtu Bujar Gogunja ka thyer edhe një rekord botëror, atë të mbajtjes së paprekur të portës për 1037 minuta.

Gogunja e arriti rekordin historik nga 11 dhjetori i vitit 1983 deri më 13 maj 1984, ku ai nuk lejoi që të pësojë gol.

Institutit prestigjioz të Historisë dhe Statistikave të Futbollit Ndërkombëtar (IFFHS), ai që ka konfirmuar një gjë të tillë. Pikërisht në këtë listë të rinovuar, ku janë klasifikuar emrat e 438 gardianëve që e lanë të paprekur rrjetën e portës së tyre për shumë minuta në kampionatet e vendeve përkatëse, bëjnë pjesë edhe tetë portierë shqiptarë.

Shqiptari i parë që ka shkruar emrin në majat e larta të kësaj liste të gjatë, është elbasanlliu Bujar Gogunja, i cili mbajti për 1037 minuta të paprekur portën e Labinotit (Elbasanit të sotëm). Gogunja, i pozicionuar i 38-ti në listën e IFFHS-së, mban edhe rekordin e të gjitha kohërave të pathyeshmërisë për kampionatin shqiptar të futbollit. Portieri (i lindur më 1957-ën), i cili për më shumë se 11 vjet (1974-1985) mbrojti katërkëndëshin e Labinotit, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e titullit të parë kampion të verdhebluve në sezonin 1983-1984.

Ai e mbajti të paprekur rrjetën e portës së tij në 11 takime radhazi, por në minutën e 43-të ndeshjes së 12-të, ishte Genc Tomori i Partizanit, ai që me golin e tij ndërpreu “tragjikisht” rekordin absolut në Shqipëri të Bujarit. Në kampionatin e sezonit 1983-1984, Elbasani në 26 ndeshje pësoi në total 14 gola, 15 fitore, 7 barazime, 4 humbje, 37 pikë. (Atëherë një fitore vlerësohej 2 pikë). Gogunja, ish-portier dhe trajner, ka lënë pas në renditje Peter Çeh të Çelsit, i cili për momentin etiketohet si një ndër portierët më të mirë të botës. Ndër vite Bujar Gogunja ka qenë një ‘shkollë’ futbolli edhe për brezat e tjerë duke stërvitur portierë që sërish bënë emër pas tij.