Elbasanlliu cudit te gjithe ngre vilë dhe e mbulon me çarçafë për të mos u dukur

Theodhoraq Kapurani ankohet se ngjitur me laboratorin e tij, pranë Spitalit Rajonal Elbasan, po ndërtohet një godinë pa leje. Sipas denoncuesit, është marrë leje në bashki vetëm për ndërtim muri rrethues.

“Letrat i ka për mur rrethues. Ai bën objekt. Megjithatë edhe murin rrethues të bënte, të mbante distancën dhe të vazhdojë punët. Unë kam që në ’89 këtu. Kjo ka qenë vendroje dy me dy. Shikoje, ja si është. Ka 1 muaj që ka filluar punimet. Kemi lajmërur në të gjitha institucionet. Në policinë e ndërtimit, IMT Elbasan”, tha denoncuesi.

IMT ka bërë vetëm një herë verifikim, ku nëpërmjet një shkrese zyrtare i bën me dije qytetarit se në kohën e verifikimit, 11 Nëntor 2022, po ndërtohej mur dhe jo godinë.

Gazetari i “Stop” verifikon pretendimin e zotit Kapurani dhe në fakt, rezulton se ngjitur me spitalin e Elbasanit, po ndërtohet godinë dhe jo mur rrethues.

Gazetari: Zotëri, si kalove? Si je? Më fal për shqetësimin! Kush po e bën këtë subjekt? I kujt është ky?

Punëtori: Si?

Gazetari: Ky subjekti këtu, që po punoni, i kujt është?

Punëtori: Ku di unë? Unë punëtor jam.

Gazetari: Kjo është godinë? Çfarë po bëhet këtu?

Punëtori: Sa di ti, aq di edhe unë.

Gazetari: Po kush ju ka marrë në punë?

Punëtori: Më ka marrë ai, pronari im.

Gazetari: Zotëria këtu, ka një ankesë, që ka laboratorin ngjitur, dhe thotë, që është marrë leja…

Punëtori: Jam punëtor.

Gazetari: Mirë, e kuptoj!

Punëtori: Nuk di gjë, thashë. Si të jesh ti pronari, e të thuash ik në filan vend, bëj punë.

Emisioni “Stop” mësoi se leja vetëm për ndërtim muri rrethues, nga ana e Bashkisë Elbasan, i është dhënë shoqërisë Alfred Kasa dhe Fiona Kasa.

Qytetari i është drejtuar ‘Bashkëqeverisjes’ dhe IMT Elbasan, por përgjigja ka qenë se, në momentin e verifikimit pas ankesës, aty po bëhej vërtetë një mur rrethues.

Me kërkesë të emisionit ‘Stop’, IMT shkon sërish në terren dhe kryeinspektori Alian Zabeli thotë, se kemi të bëjmë me një shkelje, që do të gjobitet e detyrohet ta kthejë objektin në gjendjen fillestare.

Alian Zabeli, kryeinspektor: Ne kemi pasur një ankesë për z.Alfred Kasa dhe kur u bë verifikimi, pasi erdhi ankesa, zotëria ishte duke bërë ndërtimin e murit rrethues.

Gazetari: Është në të vërtetë një mur rrethues sipas verifikimeve apo një godinë?

Alian Zabeli, kryeinspektor: Në qoftë se do të më prisni pak… Kjo është, qartë, shkelje. Do çoj inspektorët për riinspektim dhe do marrim masat administrative.

Gazetari: Të tipit?

Alian Zabeli, kryeinspektor: Të tipit: vendim gjobe dhe vendim prishje, kthim në gjendjen fillestare.

Gazetari: Nuk e shikoni më tej, dale, a ndërtoi vërtet ky zotëri, ndoshta vërtet e ka shkelur, ndoshta kjo ankesë mbeti thjesht kaq e mbeti aty, pra, nuk e shikoni më tej?

Alian Zabeli, kryeinspektor: Ne e shikojmë në një moment të dytë.

Gazetari: Sepse, i bie, që ankuesi të sjellë kërkesa, të presë përgjigje, ndërkohë që muri dhe godina në total, në strukturën, që ajo sot ka e që i ngjan një godinë që mund të jetë subjekt nesër, tregtare, në atë pozicion, është duke u përfunduar.

Alian Zabeli, kryeinspektor: Subjektit, do i prishet pjesa, që ai ka bërë shtesë. Sipas rastit, i bie që të prishet soleta dhe ngritja e muraturës anës./tvklan.al