Romeo merr frenat e lidhjes me Jonida Maliqin, ndan me miqtë udhëtimin romantik në çift pas kthimit nga Eurosong

Jonida Maliqi dhe Romeo Veshaj tashmë po përfliten se janë në një lidhje dashurie, jo vetëm për faktin se aktori i”Al Pazar” ishte një mbështetje e madhe për Jonidën në “Eurosong”, por edhe se janë parë shpeshherë bashkë në baret e Tiranës.Disa ditë pasi “Panorama Plus” publikoi lajmin, Jonida me kthimin nga Tel Aviv u shpreh se “jeta ime personale dua të mbetet e tillë”, duke dhënë shenjat e para të konfirmimit. Ndërsa Romeo konfirmimin e tij ka dashur ta bëjë me foton që flet sa një mijë fjalë.

Gjatë ditës së premte ai ka vendosur të marrë vetë frenat e pranimit të lidhjes në publik, duke postuar një moment në makinë gati për udhëtimin romantik në çift. Duke dashur të ngacmojë kuriozitetin e ndjekësve, ai ka publikuar një foto në “Instastory”, ku shihet nën shoqërinë e një femre. Ai ka vendosur që të mbulojë fytyrën e saj me një emoji vajze brune dhe të gjithë ndjekësit janë të bindur se femra që qëndron pranë tij është Jonida Maliqi.

Dy vite pas deklarimit të divorcit nga partneri prej 17 vitesh, Gent Prizreni, këngëtarja Maliqi duket se ka hyrë në një cikël të ri në jetën e saj. Thashethemet për fillimin e lidhjes me Romeo Veshaj e “Al Pazar” nisën gjatë muajit nëntor 2018. Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan dhe atëherë se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi.

Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt, duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram”, si Jonida, ashtu edhe Romeo. Gjatë këtyre muajve, ata nuk e mohuan lajmin, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke ia lënë kohës zbardhjen e së vërtetës.

E duket se Romeo i është rikthyer sërish zakonit të postimeve me Jonidën, si për t’i hedhur benzinë zjarrit, e për ta vazhduar kuiz-in me median, për të zbuluar misterin e vajzës misterioze që ai po shoqërohet. Romeo njihet si Montana i “Al Pazar” bashkë me vëllain, Donald Veshaj, në rolin e Montelës. Vitin e kaluar, mediat shkruanin se ai dhe vëllai, përveç punës në televizion, prej vitesh investonin paralelisht në një biznes, një bar në qendër të Tiranës. Ai hyri i vetëm në botën e spektaklit, por u bë edhe më i suksesshëm kur iu bashkua vëllai binjak, Donaldi. Nuk dihet nëse Universiteti i Arteve është dhe ambienti ku ai mund të jetë njohur me Jonidën, e cila po ashtu ka punuar si pedagoge, krahas karrierës artistike si këngëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *