Vlonjatja 82-vjeçare gati për burg, akuzohet për ndërtim pa leje për një kotec pulash

Në një kohë kur në mes të Tiranës rezultojnë pallate me shumë kate pa leje që për habi nuk i sheh askush, në Nartë të Vlorës duket se shteti është ngritur i gjithi në këmbë që të mos lejojë asnjë ndërtim pa leje. Qoftë ky edhe një kotec pulash.

Një 82-vjeçare e moshuar nga Narta ka parë tmerr me sy kur befas ka parë gjithë shtetin t’i mbijë para derës. Ajo akuzohet për ndërtim pa leje për një kotec pulash. Mund të duket çudi, por e moshuara rrezikon burgun pasi është dërguar në gjyq nga prokuroria.

Ajo është marrë në ndjekje penale pasi rindërtimi që po i bënte kotecit të pulave është konsideruar ndërtim pa leje. Madje dëshmitarët shprehen se e moshuara u mor me dhunë nga furgoni i policisë pavarësisht moshës.