Ishte “përbindëshi” i manastirit. Njerëzit talleshin me të, e quanin Kuazimodo. Përgjigja e tij ishte heshtja dhe të qarët në një cep ku askush nuk mund ta shihte. Franck Ribery kishte tashmë më shumë se njëqind të qepura në fytyrën dhe historinë e tij.
Një aksident automobilistik e kishte dërguar në prag të vdekjes në moshën 2-vjeçare. Më parë, kur lindi, prindërit e tij biologjikë e kishin braktisur në manastirin e murgeshave, që e morën nën përkujdesje. Askush, përveç tij, nuk e dinte aftësinë apo virtytin që kishte: ta luante topin më mirë se të gjithë. Po kështu kishte një këmbëngulje që nuk i përshtatej me trupin e vockël.
Ai mësoi nga dhimbja dhe vrazhdësia me të cilën e përballi jeta qysh shumë herët. Jeta e tij u bë një luftë, kapërcim midis pengesave të shumta. Tri dekada pas braktisjes së tij, në vitin 2013, UEFA e shpalli më të mirin nga të gjithë futbollistët në Europë.
Po, po; Ribery, ai fëmija i braktisur, i shndërruar në yll universal futbolli, mundi Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Në mes, mes atyre ditëve të guximshme dhe një gare dritash, ai ndërtoi veten pavarësisht gjithçkaje dhe të gjithëve.
Fytyra e tij tregon ashpërsinë që kaloi. Kjo është arsyeja pse Ribery kurrë nuk deshi të bënte asnjë nga ato operacionet plastike që përpiqeshin të fshihnin gjurmët. Ai shpesh thotë se ato vështirësi farkëtuan personalitetin e tij.
Fati solli pseudonimin e tij të pashmangshëm: viti i lindjes së tij, 1983 korespondonte me prodhimin e “Scarface”, filmit me regji të Brian De Palma, me protagonist Al Pacino. Dhe tani, bota e futbollit e njeh Ribery edhe me atë emër të lindur nga plagët e tij.
Në fëmijëri ishte një përbindësh i përbuzur; më vonë super yll i Bayern Munich dhe kombëtares së Francës, që shkatërronte këdo që i dilte përpara në futboll. Si futbollist u bë një përbindësh i pandalshëm për çdo mbrojtje kundërshtare.
Atë e dëbuan nga manastiri për shkaqe indisiplinimi. Ribery donte të “fluturonte” i lirë, gjithsesi. Ai preferoi të luante futboll në rrugët e pambrojtura të Boulogne-sur-Mer, në Francën veriore. Një çështje tjetër fati; ai nuk mund të kishte lindur askund tjetër në Francë.
Rajoni i Pas de Calais, siç portretizohet në filmin “Mirësevini në Tokën e Çmendurisë”, është një vend i realizmit magjik, i superheronjve të keqkuptuar, i të çmendurve të çmuar. Dhe atje, në ato ditë kur futbolli profesionist dukej si distancë e padurueshme, Ribery punonte si murator për pak para. Ai po ndërtonte të tashmen, por mbi të gjitha të ardhmen.
Ribery hodhi hapat e tij të parë si futbollist tek Union Sportive de Boulogne Côte d’Opal, ekipi i lagjes së tij. Ai start ndryshe po e largonte nga tullat dhe çimentoja. Luajti dy vite në atë klub, më pas kaloi pa çudi nëpër Alès, Brest dhe Metz. Në vitin 2004 u transferua në Turqi, me fanellën e Galatasaray. Kapërcimin e parë madhor e bëri vitin e ardhshëm, teksa u rekrutua nga Olimpiku i Marsejës.
Aty u dallua dhe u thirr për herë të parë në ekipin kombëtar të vendit të tij, me të cilin është nënkampion i Botërorit të Gjermanisë. Pas dy sezoneve të mira, ai gjeti ekipin e tij më të mirë në botë: Bayern Munich. Ribery mbërriti atje në vitin 2007 dhe që atëherë nuk reshti së fituari dhe të qeni vendimtar. Fitoi 11 tituj në 6 vite me bavarezët, duke përfshirë Superkupën Evropiane kundër Chelsea dje tripletën historike sezonale (Champions League, Bundesliga, Kupa e Gjermanisë).
Në jetën e Franck ka një personazh kyç: gruaja e tij, Wahiba Belhami. Gazetari Alvaro del Río shkruante ditët e fundit në gazetën “La Razón” të Spanjës: “Pa të, e ardhmja e Franck Ribery do të ishte shkruar me ngjyra të tjera. Karriera sportive e futbollistit të turbullt francez me siguri do të kishte marrë rrugë të tjera. Dhe madje mund të kishte dalë nga shinat.
Vahiba, gruaja e tij, nuk është vetëm ndjekësja e parë dhe më besnike. Gjithashtu, ajo është shtylla e nevojshme e ish-lojtarit. Ato njihen që në ditët e vështira të adoleshencës, në Boulogne. Nga dashuria, ai u konvertua në fenë myslimane dhe madje ndryshoi emrin e tij: për Islamin ai është Bilal Jusuf Muhamed.
Nga dashuria ajo i fali një tradhti që u kthye në skandal dhe madje përbën boshtin e librit që rrëfen jetën private të futbollistit. Nuk do ta harrojmë kurrë historinë inspiruese të të madhit Franck Ribery.
Ish-futbollisti francez e ka rrëfyer jetën e tij të vështirë, veçanërisht në fëmijëri, në një intervistë me “Canal+ Sport”. Në këtë intervistë zbuloi se si ishte përballur me dhimbjen qysh në vitet e hershme të jetës.
Ribery ka pësuar një dëmtim serioz në kokë gjatë një aksidenti me makinë, kur ka qenë vetëm dyvjeçar. Ai është dërguar shpejt në spital dhe mori 100 qepje në kokë, pas aksidentit në vendlindjen e tij.
Sipas raportimeve, ai nuk e kishte vënë rripin e sigurisë dhe kjo ka bërë që të përplasej me xhamin e makinës. Gjatë fëmijërisë së tij, njerëzit e shikonin dhe bënin me gisht drejt Riberys në rrugë, duke thënë se shenjat e tij ishin të shëmtuara:
“Njerëzit më thoshin: Shikoni se çfarë ka ai në fytyrë, shikojani kokën! Çfarë është ajo shenjë? Është e shëmtuar! Kudo që shkoja, njerëzit më shikonin mua. Nuk më shikonin pse isha njeri i mirë, pse quhesha Franck apo pse isha futbollist i mirë. Më shikonin për shkak të shenjës në fytyrë.
Shenja më dha karakter dhe fuqi. Sepse kur je fëmijë dhe ke shenja të tilla, nuk është aspak e lehtë. Mënyra se si njerëzit të shohin, komentet e tyre…, e di që familja ime ka vuajtur për këtë gjë.
Njerëzit që flasin për ty janë prindërit e fëmijëve të tjerë dhe kjo është një gjë shumë e ligë. Unë kurrë nuk shkova në qoshe të dhomës për të qarë, përkundër dhimbjeve e vuajtjeve të mëdha.
Problemi ishte se isha i ulur në ulëset e pasme të makinës dhe shkova fluturimthi drejt xhamit. Në njëfarë mënyrë, aksidenti më ndihmoi. Si fëmijë më motivoi. Zoti ma dha mua këtë gjë që më dallon nga të tjerët. Shenjat janë pjesë e imja dhe njerëzit duhet të më pranojnë kështu si jam”.
Jeta dhe karriera e Franck Ribery, telegrafikisht:
➜ Prindërit e tij biologjikë e braktisën në derën e një manastiri, kur ai ishte ende foshnjë
➜ Kur ishte vetëm dy vjeç, koka e tij goditi xhamin e përparmë të një makine në një aksident shumë të rëndë dhe mori 100 qepje. Kjo e la atë me një mbresë të fortë, e cila do të shënjonte personalitetin dhe forcën e tij të brendshme në të ardhmen
➜ Ai bëri debutimin në Boulogne më 2001. Pas disa klubeve, ai mbërriti në Marsejë më 2005, ku u votua MVP i të rinjve, “goli i vitit’ dhe pjesë e 11-shes ideale
➜ Ai luajti në Kupën e Botës 2006 dhe ishte një nga lojtarët më të mirë të nënkampionëve francezë
➜ Kulmi i karrierës ishte nënshkrimi për Bayern Munich, ku u bë idhull. Në 12 sezone radhazi, ai fitoi 9 Bundesliga, 7 Kupa të Gjërmanisë, 5 Superkupa Gjermane, një Ligë e Kampionëve, një Superkupë Evropiane dhe një Botëror për Klube
➜ Doli në “pension” te Salernitana në moshën 39-vjeçare, ndërsa sot është pjesë e stafit të trajnerëve të skuadra italiane.