Qofte me patate, kunguj dhe erëza të njoma

Qoftet janë të mirëpritura gjithmonë, për të gjithë! Mirëpo, që most ë rëndohemi shume duhet të provojmë këtë variant të tyre me perime dhe erëza të freskëta! Nëse vërtet nuk bëni dot pa mish mund t’I shoqëroni me një fileto mishit ë kuq ose të bardhe. Peshku gjithashtu shkon mirë!

Nga Linda Fishta

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA:

5 patate të mëdha
3 karota
2 kunguj
4 qepë të njoma ose 1 qepë e thatë e vogël
borzilok, majdanoz dhe pak
hudhër e freskët, të grira imët
2 lugë vaj ulliri
4 lugë gjizë
80 g djathë kaçkavall i grirë
2 të bardha vezësh
galetë, sipas nevojës (bukë e thekur e grirë)
kripë e piper, sipas nevojës
vaj kikiriku ose vaj ulliri për t’I skuqur

PËRGATITJA:

1.Pasi t’i lajmë, patatet i ziejmë me gjithë lëkurë në tenxhere me ujë të valuar, derisa kur të bëjmë provën me majën e një
thike, ajo të futet lehtësisht.
2.Ndërkohë, kungujt e larë dhe karotat e qëruara i presim në kubikë të vegjël.
3.Në një tigan të thellë me pak vaj ulliri, hedhim në fillim qepën e grirë imët, kungujt, karotat bashkë me majdanozin dhe borzilokun. I spërkasim me pak kripë e piper, i vëmë kapakun dhe i lëmë në zjarr për 10 minuta duke i përzier herë pas here. E heqim tiganin nga zjarri dhe e lëmë mënjanë. I hedhim në një tas që të ftohen.
4.Patateve të ziera u qërojmë lëkurën dhe ashtu të nxehta siç janë i shtypim mirë me shtypëse patatesh ose pirun. I shtojmë te tasi ku kemi perimet e tjera bashkë me gjizën, djathin e grirë, të bardhat e vezëve dhe 2-3 lugë galetë.
I përziejmë sa të kemi një brume të butë, por që nuk ngjit, prandaj nëse është nevoja shtojmë akoma galetë. Marrim me dorë pak nga brumi duke i dhënë formë të rrumbullakët, i lyejmë në një pjatë ku kemi hedhur galetë dhe i shtypim me dorë për t’i bërë të sheshta. Vëmë një tigan në zjarr me pak vaj kikiriku dhe I skuqim qoftet nga të dyja anët. I shërbejmë me pak sallatë jeshile.
Sipas dëshirës, mund t’i pjekim edhe në furrë. I vendosim në tavën ku kemi shtruar letër furre, i lyejmë sipër me pak vaj ulliri dhe i fusim në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 180° C, ku i pjekim për rreth 25/30 minuta ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë nga të dyja anët.